Fjala Shqipe

Fjala Shqipe

 

 

Ai që s’ punon për pastrimin, ruajtjen dhe shtimin e fjalës së shqipes, ai do të shpjerë gjuhën e vet në humnerë, në errësirë. Ne, në vend që të pasurojmë Fjalorin tonë me fjalë të reja nga dialektet dhe të folmet popullore, shkojmë dhe përdorim  fjalë të huaja pa kurrfarë  ngurrimi e pa kurrfarë turpi. Për mendimin tonë ky është një gabim që s’ na e fal  askushi, as historia. S’ na e fal, kurrë  s’ na e fal shqipja jonë.

Lexues të nderuar, do t’i  marrim nëpër duar  jo vetëm ato fjalë që kanë filluar t’i mbulojnë fjalët e shqipes,. por edhe ato që kanë lëshuar rrënjë në këtë shqipen tonë. Sa keq ! Sa varfëri ! Varfëri shpitërore ! Kështu, ndajfolja e kohës  – tani – dhe shprehja ndajfoljore – tani për tani – janë bërë  të  pranishme  si në të folurit e përditshëm ashtu edhe në të gjitha mjetet e informacionit. Kjo ndajfolje ( tani  ) dhe shprehja ndajfoljore ( tani për tani ) kanë burim grek, ndaj si të tilla s’i duhen shqipes, sepse shqipja i ka pasur qëmoti të sajat – tash -  dhe – tash për tash -.

Për fjalën e gurrës frënge – ateron – si folje e vetës së tretë ( për – zbret në tokë aeroplani ) në Burojë të Drenicës rron fjala me burim të shqipes – përtoket -.  Gjithandej thuhet : “ Po përtoket ballana “  ( ballana – aeroplani ). Përveç foljes përdoret  edhe emri – përtokje – a  – të përtokun- it -. Folja – përtoket – dhe emrat – përtokje – a të përtokun – janë të truallit të shqipes, ndaj ato duhet të përdoren si në të folur ashtu edhe në të shkruar e edhe në të gjitha mjetet e tjera të informacionit. Këto duhet të bëhen fjalë të mbarë shqipes.

Për fjalën e huaj – rimorkio -, që në të folmet shqipe të Kosovës e edhe më gjerë, përdoret fjala me burim sllav – prikolica – Shqipja e ka fjalën e vet – pasore -, ndërtuar me elemente të saj, dalë nga ndajfolja – pas – dhe prapashtesa – ore -. Prandaj do të themi : “ Genci e kishte blerë një pasore “ dhe jo – “ Genci e kishte blerë një prikolicë “. Edhe fjala me burim frëng – trotuar – ka filluar bukur moti të përdoret në shqipet si në të folur ashtu edhe në të shkruar. Për -  trotuar -  shqipja e ka pasur  të vetën që në lashtësi – këmbësore -. Do-do  të shkolluar na e sollën këtë fjalë të huaj, se të pashkollët gjithnjë e përdorin fjalën e shqipes – këmbësore. Luajeni shkollarë, luajeni!

Një tjetër çerdhe fjalësh, që ka zënë myk bukur moti në gjuhën shqipe, ardhur nga gjuhët neolatine, është  ajo çerdhja e fjalëve :  – neutral – e, si mbiemër, – neutralitet – si emër, – neutralizoj -, si folje kalimtare, – neutralizohet -, si folje vetvetore, – neutralizim -, si emër, – neutralizues – e, si mbiemër. Kjo çerdhe fjalësh nuk përdoret  vetëm me kuptim të përgjithshëm, por edhe me kuptim të ngushtë sidomos në fushën e kimisë. Për mbiemrin – neutral – e, shqipja e ka mbiemrin e vet – asnjanës – e -. për emrin  – neutralitet – shqipja e ka emrin e saj – asnjanësi-, për foljet – neutralizoj – neutralizohet – i ka foljet e veta – asnjanësoj – asnjanësohet, e për mbiemrin  – i, e  neutralizuar – e ka mbiemrin e vet – i, e asnjanësuar -. Prandaj do të themi e do të shkruajmë : “ Ai kishte qëndrim asnjanës dhe jo qëndrim neutral “. “  Tretësirë asnjanëse dhe jo – tretësirë neutrale “ në fushën e kimisë. Ose “ Ai po mbante politikë asnjanëse  dhe jo – neutrale “. “ Lëndë e asnjanësuar dhe jo – e neutralizuar “ e të tjerë shembuj.

Këto ditët e fundit në fushën e informatikës kanë filluar të depërtojnë fjalët e gjuhës italiane – memorie – a memorizim -, si emra, – memorizoj -, si folje, -  dhe  i, e memorizuar, si mbiemër. Për emrat – memorie a memorizim – shqipja e ka fjalën e vet – kujtesë, ndërsa për foljen – memorizoj – e ka foljen e saj – kujtesoj – dhe për mbiemrin – i, e memorizuar, shqipja e ka – i, e kujtesuar.Pra, do të themi : “ E kujtesova programin në kompjuter dhe jo e memorizova “. Pastaj do të themi : “ Faqe e kujtesuar dhe jo – e memorizuar “. Edhe fjala e burimit – frëng -model – ka lëshuar rrënjë në shqipet si në të folur ashtu edhe në të shkruar. Për këtë fjalë shqipja e ka të vetën – gjedhe -, të cilën prof. {abej e ka përdorur qëmoti.

Do-dove ( disa-disave) nuk u vjen turp fare të përdorin fjalën e burimit turk – karshi – për të cilën shqipja i ka dy sinonime të bukura  – përballë dhe kundruall. I ndjeri Xhuvani moti ka porositur që të përdoren  fjalët e shqipes përballë dhe kundruall në vend të – karshi -, mirëpo ç‘t’i bësh intelektualit tonë. Ruaje Zot prej fjalëve të huaja ! Sa qesharakë dalim para gjuhës sonë të bukur, kur e  përdorim fjalën e burimit të huaj – president -. Për këtë shqipja e ka të vetën – kryetar-.Ani kur po thonë – “ President kooperative “ po e kënaqin krejt, po e shkretojnë me nga krejt.

Në të folurit tonë të përditshëm, në letrat tona të shkruara si dhe në të gjitha mjetet e tjera të informacionit bukur moti kanë  lëshuar rrënjë në shqipet fjalët e gjuhëve neolatine : direkt – e dhe indirekt – e, si mbiemra – dhe – direkt + indirekt – si ndajfolje. Për mbiemrin – direkt – e -, shqipja e ka mbiemrin e vet – i, e drejtë, ndërsa për mbiemrin – indirekt-e, në shqipet gjëllin qëmoti mbiemri – i, e tërthortë. Për ndajfoljen – direkt – shqipja e ka të vetën – drejtpërdrejt-, ndërsa për ndajfoljen – indirekt -  i ka  sinonimet e saj të bukura – tërthorazi, tërthoras a tërthor. Prandaj duhet të flasim e duhet të shkruajmë : “Flas – drejt – dhe jo- direkt“. “Flas tërthorazi, tërthoras a tërthor dhe jo – indirekt“.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

5       3

 

 

 

Vetëm me  fjalën tënde mund t’i dalësh botës para dhe t’i thuash asaj – ja ku më ke – në trualin tim më ke, me fjalën time më ke, me gjuhën time më ke, me zakonet e mia më ke dhe me kulturën time më ke !

Me fjalën e huaj  nuk mund t’i shesësh mend botës, prandaj përpiqu që ta ruash fjalën tënde, ta pastrosh prej mykut të huaj, ta dëlirësh  mirë e mirë, siç e dëlirnin dikur rilindësit tanë (he ndjesë paçin), ta shtatosh atë  përditë, përvjet dhe nëpër  shekuj, duke u mbështetur, gjithnjë duke u mbështetur,  në brumin e të folmeve popullore, në  gurrat  e saj.  Me fjalë trë tjera, fjala e gjuhës sate është me interes për të huajin, është diçka e re për të, se fjala e huaj mbetet po e huaj dhe ajo e huaj s’është me interes për të, atëherë,shqiptar, mos u ngatërro kot e kot në  litar të fjalëve të huaja, kur i ke fjalët e tua, e gjuhës sate, e gjuhës sate të bukur, shumë të bukur!

Na thotë mendja se dëm dhe rrezik më të madh për një popull nuk ka sesa  kur bijtë e tij e përdorin fjalën e huaj në vend të fjalës së gjuhës së vet. Për veten tonë këta s’do t’i quanim bij të saj.

 

 

Shqiptarit të shkretë më lehtë i vjen t’i  përdorë  fjalët e gjuhës italiane – konfuz – e, si mbiemër dhe konfuzion-i, si emër pa e ditur mirë kuptimin e tyre. Për mbiemrin -konfuz – e, shqipja e ka fjalën e vet me tri sinonime të saj, pra, i ka : i, e pështjelluar, i, e ngatërruar dhe i, e turbullt, ndërsa për emrin – konfuzion – i ka dy sinonime të saj – pështjellim dhe ngatërrim. Atëherë, pse të themi : “ Akëcili, akëcila  është  – konfuz – e, “ kur e kemi në shqipet : “Akëcili është i ngatërruar, i pështjelluar?” Pastaj “Ky është një pështjellim a ngatërrim i madh“ dhe jo – “Ky është një konfuzion i madh“.

Edhe çerdhja e fjalëve me gurrë  të gjuhëve neolatine: insistim, si emër, insistues- e, si mbiemër, -insistoj- si folje jokalimtare  dhe  – insistohet, si folje vetvetore, ka lëshuar rrënjë bukur moti në gjuhën shqipe si në të shkruar, ashtu edhe në të folur.Për gjithë këtë çerdhe fjalësh shqipja i ka fjalët e moçme të saj madje edhe me më shumë sinonime, por sa  peshon kjo, kur biri i shqipes s’ua di vlerën atyre.Nejse. Ai që  s’ua di vlerën, le ta thyejë qafën ! Kështu, për emrin – insistim – shqipja i ka dy sinonime, si: këmbëngulje a ngulmim, për mbiemrin  – insistues- e, i ka dy sinonime, si: -këmbëngulës – e, – ngulmues – e, për foljen jokalimtare  – insistoj – i ka sinonimet : -këmbëngul-  a ngulmoj – dhe për foljen vetvetore  i ka sinonimet e saj -këmbëngulet  a ngulmohet. Pra,  duhet shkruar dhe duhet folur : “Ai këmbëngul a ngulmon për këtë çështje“ dhe jo- “Ai insiston për këtë çështje”. Pastaj, “Ky është këmbëngulës a ngulmues në qëndrimet e veta “ dhe jo -”Ky është insistues në qëndrimet e veta“.

Vërejtje: Edhe shprehja e së njëjtës gurrë – me insistim – në shqipet mbulohet me tri shprehje të saj, si: me ngulm, me  këmbëngulje , me ngulmim  si dhe me ndajfoljen – këmbëngultas- azi.

Ende edhe sot e gjithditën po përdoret folja e burimit turk – braktis – (nga turqishtja -brakma) dhe mbiemri – i, e  braktisur. I ndjeri Xhuvani moti ka porositur që shqipja për foljen -braktis e ka të vetën – lë, ose shprehjen – lë pas  dore. Edhe për mbiemrin  – i, e braktisur në shqipet mund të përdoret mbiemri -i, e lënë, ose  i, e  lënë pas  dore. Edhe  ajo fjala e burimit turk – baksuz – e , si mbiemër  ka gjetur përdorim të dendur  gati në të gjitha të folmet e Kosovës e edhe më gjerë. Në viset shqiptare të Malit të Zi pikërisht në lagjen  e Pasmalit të Kojës së Kuçit dhe në Triesh  kemi ndeshur në fjalën e shqipes për fjalën – baksuz. Gjithandej nuk dinin se ç‘është fjala baksuz, por -hijezi- hijezezë. Shqipja na paska fjalë të veta, por, për fat të keq,s’u biem mbrapa, s’i mbledhim ato.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

6

 

 

Së pari duaje fjalën e gjuhës sate, pastaj duaje fjalën e cilësdo gjuhë të huaj! Në Fjalorin tënd jepi përparësi fjalës së gjuhës sate  dhe bëre atë parësore e ballësore, ndërsa dytësore le të jetë fjala e gjuhë së huaj! Bota e nëpërqiell fjalën e vet, atëherë le të nëpërqiellet edhe fjala shqipe prej bijve të saj! Doni Zot e i mbushni mend shqiptarët rreth kësaj çështjeje  kaq kombëtare!

Në vështrimthin tonë të sotëm do të bëjmë fjalë për numërorët – tre – tri, për emrat e dygjinishëm  (ambigjenë), për foljen kalimtare – ngjit -, për foljen vetvetore – ngjitem, për foljen kalimtare – ndaloj -, për foljen vetvetore – ndalem -  dhe për pasthirrmën – mirëmëngjesi. E pamë të udhës të ndalemi të këta shembuj, sepse që të gjithë po përdoren gabimisht gati në secilin mjet të informacionit sidomos në TVSH e në TVK.

Bukur moti ka filluar të përdoret numërori – tre – edhe për gjininë femërore, pra në vend të trajtës – tri -. Një rrafshim të këtillë, për fat të keq, po e ndeshim në të gjitha mjetet e informacionit. Një rrafshimi të tillë duhet t’i dilet përpara. Ai është i paparanueshëm  dhe bie ndesh me normën letrare, me sistemin e trajtave të këtij numërori. Numërori – tre – duhet të dalë me formën – tre -, kur shoqërohet me emra të gjinisë mashkullore apo, më mirë të thuash, kur emri është në gjininë mashkullore, atëherë numërori duhet të përshtatet në gjini me emrin dhe të përdoret me formën – tre -. Ndërsa numërori – tre – del me formën – tri -, kur ky shoqërohet  me emra të gjinisë femërore. Apo, më mirë të thuash, numërori me formën – tri – përshtatet në gjini  me emra të gjinisë femërore. Prandaj duhet të shkruajmë e të flasim kështu:  Erdhën tre nxënës. Erdhën tre studentë. Mirëpo duhet të themi e edhe të shkruajmë : U hapen tri shkolla (dhe assesi – tre shkolla). Tri motra (dhe jo – tre motra). Tri lokomativa (dhe jo – tre lokomativa). Tri fletore (dhe jo – tre fletore) etj. Numërori – tre – bashkë me formën tjetër – tri -  edhe kur nuk shoqërohen me emra, sërish dallojnë në gjini. Kështu, kur themi – Po vijnë – tre -  dihet se janë meshkuj dhe kur themi – Po vijnë – tri – dihet se janë femra. Duhet të kihet kujdes rreth kësaj çështjeje, sepse numërori  me formën – tri -, sipas dove, mjerisht edhe prej do gjuhëtarëve, është në rrafshim e sipër, po ecën kah zhdukja.

Një tjetër çështjeje së cilës duhet t’i biem mbrapa ngutazi  është  çështja e përdorimit të drejtë  të emrave të dygjinishëm (a ambigjenë). Këta emra bukur shpesh përdoren gabimisht në pjesën dërmuese të mjeteve të informacionit. Shqipja ka bukur shumë emra të dygjinishëm. Themi të dygjinishëm, sepse në numrin njëjës janë të gjinisë mashkullore, ndërsa në numrin shumës kalojnë në gjininë femërore. Ky fenomen në gramatikat tona quhet – dygjinishmëri a ambigjeni. Do theksuar këtu se emrat e dygjinishëm nuk janë vetëm konkretë, por edhe abstraktë. Po i marrim disa shembuj të tillë emrash. Kështu, emri – mal -mali  në njëjës është mashkullor, mirëpo në shumës bën – male, pra, del si femëror. Për t’ u bindur për këtë do shikuar edhe  përcaktorët – ky, kjo, këta, këto, ai, ajo ata, ato dhe mbiemrat pas tyre. Do të themi – ky mal, mirëpo në shumës – këto male (dhe jo – këta male)  siç na bie rasa të dëgjojmë në TVSH. Po kështu do të themi  në njëjës  – livadh- i, si mashkullor, mirëpo në shumës kalon në gjininë femërore, duke dalë me formën  – livadhe -, pra, këto livadhe dhe jo -këta livadhe. Pastaj duhet të thuhet e të shkruhet  ; Këto male të larta  dhe jo – këta male të lartë, siç ngjet me  TVSH-në. Shembuj të tillë ka plot, si: Ky mendim- këto mendime; ky vendim – këto vendime; ky përparim- këto përparime; ky studim – këto studime; ky institucion – këto institucione; ky stadium – këto stadiume ; ky vend- këto vende ; ky veprim – këto veprime; ky rrënim – këto rrënime; ky shpërthim – këto shpërthime  e të tjerë shembuj.

Te TVSH-ja shpesh na ka rënë rasa (dhe jo – rasti) të dëgjojmë : “I ngjiti shkallët“ me atë kuptimin – u ngjit shkallëve. Me fjalë të tjera, folja kalimtare – ngjit – është përdorur gabimisht në vend të foljes vetvetore – ngjitem  (në fjali – i ngjiti – do të duhej – u ngjit). Folja e thënë  aty – i ngjiti – shpreh kuptimin e ngjitjes, e të ngjiturit të shkallëve, domethënë ajo që është ç‘ngjitur duhet të ngjitet. Prandaj duhet të themi u ngjit shkallëve  dhe jo – i ngjiti shkallët.

Nga i njëjti burim, pra nga TVSH-ja, shpesh na ka rënë rasa të dëgjojmë foljen kalimtare  – ndaloj -, duke u përdorur në vend të foljes vetvetore  – ndalem. Ndër të tjera,  patëm dëgjuar: “Kryetari nesër ndalon në Prizren, në Gjakovë dhe në Pejë. Në këtë kontekst njeriu kupton se kryetari e ndalon dikë dhe nuk ndalet vetë në këto qytete. Me fjalë të tjera, folja kalimtare – ndaloj – është përdorur gabimisht  në vend të foljes vetvetore – ndalem. Prandaj është dashur të thuhet : Nesër kryetari ndalet në Prizren, në Gjakovë dhe në Pejë. Zëvendësime të tilla foljore janë të palejueshme, sepse bien ndesh me rregullat gramatikore të shqipes, bien ndesh me natyrën e gjuhës shqipe, e shqipes sonë të bukur, të cilën, mjerisht, po e zbehim çdo ditë e më tej.

Në shumë mjete të informacionit e edhe në të folurit e përditshëm pasthirrma – mirëmëngjesi – bukur shpesh po përdoret gabimisht me formën e shkurtuar – mirëmëngjes. Një ditë, jo fort moti, dëgjuam në TVK (dhe jo – KTV) se një autor e kishte titulluar veprën e tij me pasthirrmën e shkurtuar – “Mirëmëngjes”. Gabim në titull. Gabim që s’falet. Nuk mund të themi – mirëmëngjes siç nuk mund të themi – mirëditë a mirëmbrëmë. Pra, gjithnjë duhet të përshëndetim – mirëmëngjesi dhe jo – mirëmëngjes, sepse pasthirrma – mirëmëngjesi – do zbërthyer në – të qoftë i mirë mëngjesi.

 

 

 

 

 

 

 

 

7

Edhe ky vështrimth është vijimësi e vështrimtheve të kaluara, tema bosht e të cilave është pastrimi i fjalëve të shqipes nga fjalët e huaja, ruajtja e fjalëve të shqipes nga to, pasurimi i fjalësit të shqipes me fjalë të gurrave popullore, shtatimi i fjalëve të shqipes nëpër rrymë motesh, duke u degëzuar me kuptime të reja kuptimore gjithnjë e pa ndërprerje. Qëllimi parësor  e ballësor i këtyre vështrimtheve është që disa prej këtyre fjalëve të jetësohen e të përdoren në të gjitha mjetet e informacionit. Disa fjalë të shqipes, besa shumë sosh, nuk gjenden te Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, mirëpo fjalët e burimit shqip gjëllijnë sot e kësaj dite në dialekte, në nëndialekte e edhe në të folmet popullore, prandaj është domosdo kohe që këto fjalë popullore, të cilitdo kënd të shqipes qofshin ato, të vihen në përdorim, t’i zëvendësojnë fjalët e huaja, të bëhen gjithshqipe.

Merreni me mend se me ç‘shpejtësi u përbirua dhe filloi të vërshojë në shqipet qerthulli i fjalëve frënge -ekzaktësi-a, si emër; -ekzakt-e, si mbiemër dhe ekzaktësisht, si ndajfolje. Për secilën fjalë të këtij qerthulli fjalësh të huaja shqipja i ka nga dy sinonime të saj, si:  saktësi a përpikëri – për emrin -ekzaktësi ; i, e përpiktë a i, e saktë – për mbiemrin -ekzakt-e dhe – përpikërisht a saktësisht – për ndajfoljen -ekzaktësisht.  Sa e pasur dhe sa e bukur kjo gjuha jonë! Kapërthuru shqiptar, për fjalë të huaja, kapërthuru! Ngatërrohu shqiptar në to, ngatërrohu! Thyeje qafën në to, thyeje!

Fjala e burimit turk – bosh -  si mbiemër, aq ka lëshuar rrënjë në shqipet, saqë me vështirësi do të çrrënjoset prej saj, edhe pse i ndjeri Xhuvani moti ka pasë porositur që të përdoren fjalët e shqipes – i, e lirë; i, e kotë  dhe   – i, e  thatë, në vend të  saj  (Shih për këtë  te – Për pastërtinë e gjuhës shqipe, Prishtinë, l968, f. 17). Do të themi – enë e thatë; thes i thatë ; dhomë e thatë ; vend i thatë, kur duam të ulemi. Te Xhuvani, po aty, thuhet : – fjalë e kotë, mirëpo në të folmet e Kosovës, në pjesën dërmuese të tyre, përdoret mbiemri – e thatë. Pra, kudo dëgjojmë : Aj t’ngin me fjalë t’thata. Na ka rrasë me fjalë të thata. Nga terminologjia e  gjellëtarisë e kemi veçuar fjalën e burimit turk – ajran – i, sepse kjo ka depërtuar në të folurit e përditshëm e edhe në disa mjete të informacionit. Për këtë fjalë shqipja e ka të vetën qëmoti. Kështu, në  Opojë e edhe ngjeti rron fjala e shqipes – dhallë- i. Fjala – dhallë gjendet edhe te Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, prandaj e mira e më së mirës është që të përdoret fjala e shqipes – dhallë – dhe jo fjala e burimit turk – ajran.

Nëpër shkollat tona kanë gjetur përdorim të gjerë  fjalët me gurrë  neolatine  – verbal – e, si mbiemër  dhe – verbalisht – si ndajfolje. Në shqipet ekzistojnë fjalët e gurrës së saj – gopjor- e, si mbiemër dhe -gojarisht, si ndajfolje. Besa, në Burojë të Drenasit rron ndajfolja – gojazi (për – gojarisht – me gojë). Prandaj duhet të shkruajmë e të flasim : Pjesa -gojazi- a gojarisht a me gojë e provimit…. do të mbahet…. Edhe fjalët -vigjilencë, si emër dhe  – vigjilent – e, si mbiemër,  kanë ardhur  në shqipet dhe e kanë vërshuar çdo mjet të informacionit. Për emrin – vigjilencë shqipja i ka dy sinonime të saj – syçeltësi dhe syhaptësi, ndërsa për mbiemrin – vigjilent – e  i ka gjithashtu dy sinonime të saj – syhapur a syçelët.Prandaj duhet të themi e të shkruajmë: Duhet të veprojmë me syçeltësi a me syhaptësi dhe jo me -vigjilencë. Agimi ishte syçelët a syhapur për atë çështje me rëndësi dhe jo Agimi ishte vigjilent për atë çështje.

Edhe fjalët e burimit italian – vital – e, si mbiemër dhe – vitalitet- i, si emër  kanë marrë hov e po përdoren si në të folur, ashtu edhe në të shkruar e edhe në  mjetet e tjera të informacionit. Për mbiemrin – vital – e, shqipja e ka mbiemrin e vet me dy sinonime  – jetësor – e ose  – jetik – e, ndërsa për emrin – vitalitet-i, shqipja e ka fjalën e saj – jetësi-a. Prandaj duhet të themi e të shkruajmë : -Kjo është çështje jetësore a jetike për ne shqiptarët dhe assesi – vitale. Pastyaj do të themi e shkruajmë : – Jetësia e shqipes sonë  të bukur dhe jo – vitaliteti i shqipes sonë të bukur.

TVSH-ja gjithnjë e përdor  Emisionin e lajmeve me formën -  Lajme, domethënë  e përdor më formën e shumësit të pashquar, ndërsa  Televizioni i Kosovës  gjithnjë e përdor  me formën – Lajmet, domethënë me trajtën e shumësit të shquar. Sipas mendimit tonë Televizioni i Kosovës e përdor drejt këtë fjalë.Duhet të përdorim – Lajmet dhe jo – Lajme, sepse aty është bërë  emërzimi i dyfjalëshit – Emisioni i lajmeve. Prandaj  duhet të themi e të shkruajmë – Po i dëgjoj – lajmet. Po i japim – lajmet dhe jo – po japim lajme.

Comments are closed.