RRETH NJE SHTRESE FJALESORE ME BURIM TE HUAJ NE DISA TEKSTE SHKOLLORE E UNIVERSITARE

RRETH NJE SHTRESE FJALESORE ME BURIM TE HUAJ NE DISA TEKSTE SHKOLLORE E UNIVERSITARE   

Secili tekst, veçmas ato universitare, duhet të dëliren prej fjalësh të huaja para se ta shohin dritën e botimit. Kësaj çështjeje pakkush po i kushton kujdes. Ka edhe aso rasash ( dhe jo rastesh) kur autori brendapërbrenda një teksti i përdor disa sinonime të burimit të huaj, ndërsa ato të shqipes s’i përdor fare. Pikërisht për këtë arsye studenti ynë rri (qëndron) në të ndërdyzur se cila fjalë do përdorur, se cila fjalë është e shqipes. Besa ka edhe asi autrësh, të cilët u japin shumë më shumë përparësi fjalëve të burimit të huaj, se sa atyre të shqipes.Po, po ka. Për fat të keq po ka.Përderisa kjo shtresë e huaj fjalësore (leksikore) gjen vend nëpër tekstet universitare madje-madje edhe nëpër gramatika të këtij niveli, atëherë ç’mund të ndodhë në nivelet e tjera të arsimit tonë?

Të vërshuarit e fjalëve të huaja ka marrë  hov marramendës në çdo mjet informacioni, veçmas pas luftës së fundit në Kosovë. Shumë shtëpi botuese nuk kanë redaktorë kulture dhe pa kurrfarë kriteresh po botojnë tekste e tekste. Të njëjtën rrugë po e ndjekin edhe shumë autorë tekstesh shkencore e letrare. Sesi do t’u ndalet ky hov i mbrapshtë sidomos gramatikanëve dhe shkencëtarëve të tjerë të këtij niveli  veç i madhi Zot mund ta dijë!

Kësaj radhe i kemi nxjerrë disa fjalë të burimit të huaj  nga këto tekste:” Gramatika e gjuhës shqipe për të gjithë” (autor- prof. dr. Bahri Beci. Botues – Enti i teksteve dhe i mjeteve mësimore i Kosovës, Prishtinë, 2OOl) , “ Hyrje në metodikën e punës shkencore” (nga autorët:Gjovalin Shkurtaj, Njazi Kazazi dhe Ymer Ciraku. Botues-Shtëpia Botuese e Librit Universitar, Tiranë, 2OO4) dhe  “ Gjuha shqipe 2” për klasën e dytë të shkollës fillore ( autor – prof. dr. Bahri Beci. Botues – Shtëpia botuese “Dukagjini-“në Pejë, dalë nga shtypi në maj të vitit 2005).

Nga “Gramatika e gjuhës shqipe për të gjithë “ kemi veçuar: fjalën –bashkëbisedues, në vend të fjalës së shqipes –bashkëfolës. Pjesa e dytë e kësaj fjale – bisedues ka burim sllav, ndaj s’ do përdorur. Pra, fjala –bisedë- me të gjitha rrjedhojat e saj (bisedoj, bisedim, të biseduar, bisedues-e) nuk duhet të përdoren as në të shkruar e as në të folur, sepse kanë burim sllav.Ja se ç’shton Beci : “Në procesin e komunikimit dallojmë folësin, bashkëbiseduesin, mesazhet dhe mjetin e komunikimit” ( aty, f.15.). Së pari e përmend –folësin- e pastaj këtë e shndërron në bisedues, në vend të bashkëfolës, ose bashkëligjërues – bashkëligjëronjës- ( siç e ka arbërishtja) . Fundja, edhe –bashkëkuvendues. Beci, pa kurrfarë turpi shkon dhe e përdor fjalën e burimit latin – influencë- në vend të fjalës së shqipes – ndikim-.(po aty, f.21). Pastaj në vend të fjalës së shqipes – nyjëtim- shkon dhe e përdor fjlaën e burimit latin – artikulim, si: “Në artikulimin e tingujve të shqipes marrin pjesë…”(aty, f.21). Edhe fjala e burimit turk –dyqan- ka gjetur vend te gramatika e Becit, ndërsa ajo e shqipes – shitore- a tregtizë- (kështu e ka përdorur moti Koliqi) është passhpinur, është harruar. Ja disa shembuj: “ Dyqanet hapen herët.Dyqanet, zyrat, kopshtet.Dyqanet pastrohen herët” (po aty, f.51).

Edhe pse fjala e burimit grek-lloj- ka shtrirë rrënjë në shqipet po kështu edhe te gramatika e Becit, megjithatë nuk duhet përdorur, se shqipja e ka të vetën – farë.(aty, f.53). Edhe ndajf. e burimit grek – tani- dhe shprehja ndajfoljore –tani për tani- te vepra e Becit jo vetëm që kanë  gjetur vend , por janë përdorur kudo pa u përmendur asnjëherë sinonimet e shqipes – tash-tashti dhe shprehja  ndajfoljore- tash për tash.Ndajf. – tani – dhe shprehja ndajf. – tani për tani –  kanë  filluar të përdoren me të madhe edhe në Kosovë, megjithëse dikur përdoreshin vetëm –tash – dhe tash për tash. Shkrimtarët e vjetër në krye me Buzukun,arbërishtja dhe pjesa dërmuese e të folmeve shqipe kanë ditur, dinë dhe e përdorin vetëm sinonimin shqip – tash-i,tashti dhe shprehjen ndajfoljore – tash për tash. Te Buzuku : “ Afërou tash e më puth biri em”.1. Ose” Sytë tat anshtë të keq tash, përse u jam i mirë?”2. Te Skiroi : “ Na tashti te kta të folë”. Skiroi ndajfoljen tash e ka përdorur edhe me sinonimin – nani, si: “ Nani vdes me helmin vetëm të mos kem ofqejën shejte”.3.  Beci e ka përdorur me tepri, por po e përmendim vetëm një shembull, si: “ E tashmja tregon diçka që bëhet tani”. ( f.115). Në ballë e ka e tashmja, që del nga tash dhe jo nga –tani. Beci e ka përdorur edhe fjalën e burimit latin – kockë- në vend të fjalës së shqipes – asht-, si:” S’ka mish pa kockë” (aty,f.116).Në disa vise të Kosovës thuhet: “ S’ka mish pa eshtën”. Ose- S’ka mish pa asht”. Edhe fjalën e burimit turk – ilaçe- (përdorur vetëm në shumës) e ka përdorur Beci, duke e lënë mbanë dhe duke e harruar sinonimin shqip të saj – barna – (dhe jo- barëra, se emërton diçka tjetër) a barnishta. Ja shembulli nga gramatika e parapërmendur: “ Po m’i gjete këto ilaçe, më ke shpëtuar” ( aty, f.124). Këtu do të shtonim- Sa turp është ta përdorësh fjalën e burimit të huaj, në vend të fjalës së gjuhës sate!

Beci e ka përdorur edhe fjalën e burimit latin – distancë- (nga lat. –distantia) në vend të sinonimit të shqipes – largësi –a –largesë). Citojmë: “ Ecëm pesë kilometra distancë” ( aty, f.2O7).

 

Nga vepra “ Hyrje në metodikën e punës shkencore” kemi veçuar: Fjalën e burimit latin – progres- ( kjo nga një – progressus), përdorur në vend të fjalës së shqipes – përparim, si: “… si thelbësore për progresin e qëndrueshëm të njohurive” (aty, f.9). Edhe rrjedhëset e tjera – progresiv-e- nuk duhet përdorur pasi shqipja i ka të vetat: përparoj, përparimtar-, i, e përparuar etj.Te ky libër na ra rasa ( dhe jo- rasti) të ndeshim fjalën tjetër të burimit të huaj – inkurajoj-, në vend të disa sinonimeve të shqipes –trimëroj, jap guxim, përkrah, nxit etj; si: “ …. Ata inkurajojnë lëvizshmërinë midis nxënësve dhe studentëve” ( aty, f.9). Edhe fjala e burimit grek – akoma- te këta autorë ka gjetur të përdorur, si: “ Akoma më e rëndësishme është se aktet e këtyre konferencave…” (aty, f.66). Shqipja, siç dihet, i ka dy sinonime të gurrës së saj – ende- dhe –edhe -besa shpesh edhe ndajf. mâ ( për –ende-kështu sidomos Anamali). Kjo – akoma- ka filluar t’i mbulojë sinonimet e shqipes –ende dhe – edhe – për fat të keq, edhe në Kosovë. Aty ndeshëm edhe në fjalën e burimit lat. – dimension- (nga lat. dimension) në vend të fjalës së shqipes – përmasë. (aty, 67.). Edhe fjala e gurrës së frëngj. – model- gjendet në faqet e këtij libri, si: “… në sinkroni me modelet bashkëkohëse”. Për fjalën– model- prof. Cabej porosiste që të përdoret fjala me gurrë të shqipes – gjedhe-( shih për këtë te – Studime gjuhësore,II, Prishtinë 1976).

Edhe fjala e burimit latin – eliminoj- dhe rrjedhoja tjetër –eliminues-e- kanë gjetur përdorim nga autorët e përmendur, si: “ e jo eliminuese” ( shih po aty,f.67). Shqipja i ka dy-tri sinonime të veta, si: zhduk, mënjanoj- i, e zhdukur dhe i, e mënjanuar.

.Për fjalën e huaj – personale-, që është përdorur aty (shih f.71), shqipja e ka të vetën –vetjake. Edhe fjala tjetër e burimit latin – retrospektivë- gjendet te vepra në fjalë, si: “Retrospektivë quhet ajo lloj bibliografie që përmbledh vepprat ose artikujt e periodikut botuar kohë më pare”. ( po aty, f.72). Për fjalën – retrospektivë- shqipja e ka të vetën – prapëvështrim, ndërsa si mb. – retrospektiv-e- prapëvështrues-e.

Fjala e gurrës frënge – prezantim- qet krye te vepra në fjalë, si: “… për mënyrën sesi përshkruhen dituritë, prezantimet e të dhënave janë të ndryshme” (aty, f.74).Për këtë çerdhe fjalësh ( prezantoj, prezantim, prezantues, i, e prezantuar) shqipja i ka fjalët e saj, si: paraqes, paraqitje ( a të paraqitur), i, e paraqitur etj.Edhe fjala e burimit lat. –ekstrem-i (si emër) dhe –ekstrem-e ( si mbiemër) u ka marrë nëpër duar ( për – është marrë nëpër duar) nga ana e autorëve, si: “ … mund të jetë pak më ekstrem dhe i mbithjeshtëzuar” ( at, f.74). Për emrin – ekstrem-i, shqipja e ka emrin e vet –skaj-i ( a skajshmëri), ndërsa për mbiemrin – ekstrem-e i ka sinonimet – i skajshëm, e skajshme dhe – i tejmë- e tejme..Fjala tjetër e gurrës frënge – detal-i, ka zënë vend te vepra e parapërmendur, si: “ …na nevojitet t’u tregojmë lexuesve tanë në detaje” ( aty, f.89).Shqipja për këtë fjalë të huaj i ka sinonimet  e veta– imtësi, hollësi.

Edhe këta autorë dendur e kanë përdorur ndajf. e kohës – tani- dhe fjalën e burimit sllav – bisedë, të cilat u zunë ngoje  te gramatika e Becit.

Te “Gjuha shqipe 2” (tekst për klasën e dytë të shkollës fillore) Beci ka përdorur shumë më shumë fjalë të burimit të huaj sesa në tekstin e parapërmendur. Po i përmendim disa fjalë me burim të huaj..Edhe te ky tekst fjala e burimit turk – dyqan – mbidominon së përdoruri, si: : “ … në dyqanin e frutave “ ( aty, f. 20). “ Dyqanet ishin të mbyllur” ( aty, f.29). “ Shko në dyqan, bli bukë e pesë kokrra vezë” ( aty, f. 37). “Vajza qeshi, pastaj i shkoi mendja te dyqani i luleve” (aty, f. 51). Do të shkoj në dyqanin e luleve dhe do të blej një tufë me mimoza” (aty, f.53). Edhe fjalën – bisedë – e ka përdorur dendur në këtë tekst, si: “ Cfarë vini re në këtë bisedë telefonike? Si e fillon bisedën Drita? Provoni të zhvilloni një bisedë telefonike me shokun ose shoqen tuaj të klasës”. “ Si e përshëndesin ato njëra tjetrën në fund të bisedës?” (aty, f. 34.). Pra, brendapërbrenda një faqeje fjala e burimit sllav – bisedë- është përdorur katër herë.Beci e ka përdorur edhe foljen –bisedoj-, si: “ Provoni të kujtoni çfarë keni biseduar me të” ( aty, f..46.).  “ Ja nxënësit e klasës së dytë tek bisedojnë të gëzuar me mësuese Luljetën” (aty, f. 122).

Beci ka shkuar dhe e ka përdorur pa kurrfarë mbëhie ( nevoje) fjalën e burimit italian – vapor – në vend të fjalës së shqipes –anije-, si: “ Vapori fluturon lart në qiell” (aty, f.20). Ja sesi i mëson mbrapsht nxënësit e shkollave tona doktor Beci.Këtu në Kosovë nxënësit dhe studentët e këtij brezi e përdorin vetëm fjalën e shqipes – anije, prandaj do të lutnim dr. Becin që fjalën e burimt të huaj, sjellë në tekstet tona, le ta shpjerë nga e ka marrë, se shqipja e ka të gurrës së vet A thua i mëson apo i çmëson nxënësit tanë në frymën e fjalësit të shqipes ky gjuhëtar yni? Me këso fjalësh, pa të ndërdyzur, i çmëson ata. Beci, Beci, fjalësi i shqipes s’t’i fal këto gabime! Te ky tekst shkollor i kemi ndeshur edhe këto fjalë të burimit turk: bojë, xham, basmë, çezmë, jeshile, dembel, usta. Ja disa shembuj  marrë nga teksti në fjalë: “ …mbyll kutinë e bojës…”(aty, f.43.). “ U afrua dhe e mbështeti kokën te xhami” (aty,f.51.). “  dasmë, çezmë, basmë” (aty, f. 52.). “ Duhet të kaloj para se të hapet drita jeshile” (aty,f.80.).

“ … jap ndihmë, dembel, dëgjoj, lëshoj etj.) (aty, f.103.). “ Usta Hasani është plak” (aty,f.105.). Për fjalën – bojë- shqipja e ka të vetën – ngjyrë-; për - xham- qelq-; për –basmë- pëlhurë-; për – çezmë  – gurrë-– krua- (megjithëse turqisht fjala  – çezmë- emërton vetëm gypin a lugthin nëpër të cilin kalon uji . Vërmica e Prizrenit e ka –gurrel); për mbiemrin – jeshile – shqipja e ka – e gjelbër; për – dembel- shqipja e ka – përtac-; dhe për fjalën e burimit turk – usta- shqipja e ka të vetën – mjeshtër.

Te teksti në fjalë kemi ndeshur edhe në fjalën e persishtes – pazar- (nga persishtja – bazar),si: “ Po kthehej nga pazari” (aty, f.106.). Shqipja për fjalën – pazar- e ka të vetën – treg –( kjo, sipas prof. Cabejt, me gurrë ilire). Në faqen 107 të këtij teksti është përdorur edhe fjala me burim italian  - marangoz-, si: “ murator, mësues, marangoz”.

Beci  ka përdorur edhe fjalën tjetër të burimit sllav – prashit -, si: “  mbjell, korr, shij, prashit” (aty, f.63.). Për këtë fjalë të burimit sllav shqipja e ka të vetën – mih – dhe rrjedhojat të dala prej saj – mihës ( a mihtar),mihje ( a të mihur), i, e mihur etj.

Na duket me interes të përmendim se Beci i ka përdorur gabimisht foljet –ngjiste dhe – zbriste -, si: “  Ajo ngjiste shkallët e pallatit” (aty, f.110.) Në vend të : Ajo ngjitej shkallëve të pallatit.Pastaj-“ Ai zbriste shkallët e pallatit “ (aty,f.110). Në vend të – Ai zbriste shkallëve të pallatit.

Ne qëllimshëm i kemi marrë për t’i tëharrur nga fjalësi i burimit të huaj këto dy vepra dhe këtë tekst shkollor, sepse autorët e tyre janë gjuhëtarë në zë, mirëpo ata nuk turpërohen e as nuk janë turpëruar ndonjëherë në të përdorurit e fjalësit me gurrë të huaj në veprat e tyre. Ata dinë, por , për fat të keq, nuk duan të dinë se fjala e shqipes duhet ta zërë vendin ballësor jo vetëm në Fjalorin tonë, por edhe në cilëndo krijimtari, sidomos në veprat shkencore.Ata, sikur i janë përulur , besa edhe përshpirtur të huajit, fjalës së huaj dhe duke e harruar dhe mënjanë fjalën e shqipes. Kësi studiuesish  janë të rrezikshëm për kulturën e një gjuhe, për kulturën e shqipes sonë në këtë rasë.

Duke e përmbyllur këtë vështrim tonin të kësaj çështjeje kaq me peshë pa kurrfarë ndërdyzjeje mund të shtojmë se fjalësi i shqipes sonë duhet të ruhet e të përdoret papërtueshëm prej autorëve të lëmenjve të ndryshëm, të gazetarëve, të mjeteve të informacionit, të shtëpive botuese, të teatrove e të filmave. Fjalësi dhe fjalori i shqipes së pari do përdorur dhe ruajtur prej mësuesve të shqipes të cilitdo nivel qofshin ata, prej lektorëve e redatorëve tanë, se shqipja është duke u rrezikuar çdo ditë prej fjalëve të gjuhëve të huaja.

 

 

Prizren, më 8.O6.2OO6                                              Abdullah Zymberi,

Fakulteti i Edukimit – Prizren

 

Comments are closed.