LEKSIKU TE VEPRAT E PORADECIT

Kësaj njerëzie shqiptare ne i kemi falur ç’gjë më të bukur që kemi pasur : pastërtinë e shpirtit, dashurinë e zemrës, ëmbëlsirën e fjalës”. Poradeci

 

Te veprat e Poradecit njeriu ndesh në një shtresë të pastër dhe të pasur leksikore me burim të shqipes. Një pjesë bukur e mirë e kësaj shtrese leksikore ka mbetur pa u përfshirë te Fjalori i Gjuhës Shqipe (Tiranë, 2006), ka mbetur e ngujuar në veprën e mëmëdhesorit dhe të përzjarrtit Poradec, është drynuar qëmoti atje.

Ky burrë i këtij dheu i këndon dhe i vjershëron shqipes dhe shqiptarizmës aq përmallshëm dhe aq përzjarrshëm saqë e rrënqeth dhe e çon peshë çdo lexues të vargut të tij. Këtë vjershërim e mvesh edhe më mrekullueshëm me fjalë të shqipes, duke e ngjeshur me brumë të saj, e mvesh me një laryshi parashtesash e prapashtesash dhe me mënyra të tjera të fjalëformimit si pakkush tjetër. Ai me vetëdije të plotë i ikën të përdorurit të fjalës së huaj dhe, përherë e vë në ballë të ballit fjalën e shqipes së tij, të cilën e shqipëzoi fatalumas , po edhe fatamjeras gjatë gjithë jetës së tij. Ai diti t’i këndojë Atdheut dhe popullit të tij me fjlaë të burimit të shqipes. Për mendimin tonë Poradeci është njëherazi poet e edhe leksikograf. E quajmë leksikograf, sepse ai ka krijuar fjalë e fjalë me një mendjehollësi të paparë dhe të pamarrë me mend ndonjëherë. Mënyrat e fjalëformimit te veprat e tij duhet t’u shërbejnë leksikografëve tanë gjedhe për fjalëformimet e reja në leksikografinë dhe leksikologjinë shqiptare. Me fjalë të tjera, Poradeci mbetet mburojë dhe krijues i fjalës së tij të shqipëzuar dhe të kombësuar.

Përderisa ndajfolja e burimit grek – tani – dhe shprehja ndajfoljore -tani për tani-kanë gjetur përdorim te disa shkrimtarë shqiptarë, e sot edhe prej shumë dijetarësh fushash të ndryshme sidomos prej gazetarësh vonë-vonë edhe në Kosovë, ndërsa te Poradeci rron krenarishëm ndajfolja me burimt të shqipes – tashi- tashti- dhe shprehja ndajfoljore tashti për tashti, si: “ Po tashi: Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri”…. Tashi ah! djelli vate e shkoj”. “ Kështu dhe – tashti – për çështjen e çlirimit kishtar të ortodoksizmës Naçua Vendosi, si rendërisht, njëherë e mirë ta kapë demin prej brirësh” (f.441). “ Veprimin e tyre ata e kishin përfunduar tashti për tashti, duke shtypur abetare, dhe duke i shpërndarë dhe përhapur në Rumani, Shqipëri dhe kudo gjetiu që mundnin”. (f. 386). “ … më s’jepte tashti për tashti shenja të hapta ringjalljeje dhe pra as kish nevojë ushqimi libror nga ana e Kolonisë” ( f. 408).

Fjala e burimit turk – dyqan – ka përdorim të gjerë sidomos në Shqipëri, kurse Poradeci para aq vjetësh e përdorte fjalën e burimit shqip – tregtore- ( kjo prej ilirishtes) , si: “ Puna e tij ishte detyra e përditshme e djersës së ballit të tij në tregtoren e një atdhetari…” (374). Poradeci nuk e ka përdorur as fol. e burimit sllav – bisedoj -, por atë me burim latin – kuvendoj, si: “ Më kuvendo me zë të tretur” (135). “ … për të cilët miku i tij i kuvendonte se kishin filluar të loznin nga vendi pas bujës së lidhjes së Prizrenit…” (f. 423). Sot e ka marrë dhenë në të folurit e përditshëm fjala e burimit turk ajran, ndërsa poeti ynë para sa kohe e përdorte fjalën e burimit shqip – dhallë , si: “ Kosi, atij, i ngjan me dhallë të trashë” (18).

 

Nga sistemi emëror leksikor kemi veçuar:

 

  1. Femërorët që dalin me prapashtesën – ëz(z)(ë), si:

“…një mjergullëz e re” (149),” …ma çik qepallëzën e fjetur” (135),”..moj motërza bujare” (127), “… e që gojëzën e hapi, … nëpër bimëzat e tyre” (7),” ..Unë shoh me gas të qetë këngëzën e përvëluar” (17), “… Zotëriut q’i la folezën “(41),” … Lyen pushkëzën e vjetër” (43), “… nër njato lëndinëza” (67), “Si qesh një foshnjë e vogël me lodrëzat e veta” (74), “ E ritet… ritet mi gropëzën e shkret” (92), “ Dridhet mun në fund të ti zembërëz’ e vrarë” (95), “ T’i fry napëzën anijes, T’i shty lundrëzën njeriut” (104),

“ Lëshon gropëza nër faqe” (153), “ Ja! Dhe shkollëza mitare”(155), “ Kur për herëzën e parë vetë filli ti më poqe” (157), “ O klithmëz e tingëllit t’im “ (167), “Nënë thembërzat e tua përgëzohet trendelina” (173) e të tjerë shembuj.

 

  1. Mashkullorët me prapashtesën –th,si:

 

“ Në vallthin blerimtar plot dumbushere” ( VL 330). “ Ndjej vajtimthin e një shpesi”( VL , 87).” Bukuri e Mëmëdhethit do të ngjante e pashijuar” (29) Pra, me prapashtesën e zvogëlimit –th- Poradeci ka sajuar pakëz fjalë.

 

c) Asnjanësit qoftë prejmbiemërorë të emërzuar, qoftë prejpjesorë të emërzuar, si:

 

Të pat falur dashurija në të qarët………………….(f.8)

…dit’ e nat’ i lodhe ballët……………… ……………(29)

Vallë- a mos u ndreq të folët………… .( 29)

Qan e heq në të kënduar………………… ( 31)

Ndaj shëmton fjal’ e të folur…………… (31)

E pse dot më s’gjet të prehur……………. (31)

Bubu! Shtatë jetas’të kam për të gjetur………… (57)

Po me t’u ndarë vet e vet…………………………….(71)

E s’kam të keqtë- e shpirtit ah!…………………… (74)

Kjo ditë lumtërijeqë nuku ka të ngjarë………….(75)

Kur vjen të mugëtit e qetë…………………………..(77)

Mos bëj të keq………………………………………….. (79)

Pa të pandehur nat’- për-natë;…………………….(79)

M’a ndrit me një të parë fytyrën………………….(84)

…pa të sosur, pa njomë kurrëkund……………….(85)

Të ritë- e viteve të mi (titulli i poezisë)………..(87)

……me kaq të ngjethur të pafaj…………………..(89)

….q’e treti në të ri……………………………………..(92)

Breng që s’ka të ngjarë……………………………..(95)

E si kurrë s’ka të shuar……………………………..(97)

Marr të rëndët që përdhe…………………………..(103)

Marr të fellët nënë dhe…………………………….. ( 103)

C’u mbush sheshi me të parë……………………..(145)

Kush e dha për të kremtuar……………………….. (148)

Ti na dhe për të kremtuar………………………….( 148)

Kombin për t’a kombësuar………………………..(149)

Shqipen për t’a shqipëzuar………………………..( 149)

Se të kam për të pushtuar………………………….(159)

E së-rish ah! me t’u ndarë.…………………………(164)

Ndrin Yll’ i të riturit t’im…………………………..( 180)

Zbret Yll’ i të riturit t’im……………………………(181)

Kur të pashë për të vluar…………………………… (189)

Ti bën një vrap për t’udhëtuar……………………. ( 205)

E pa t’u tharë pika lot……………………………….. (205)

Edhe shpejt kur me të dalë………………………… (214)

Pa të kundroj si bën të shkuar nër ato rrugë … (237)

Që me t’u ndezur flak’ e ditës……………………. (259)

….me t’-u përgjigjur vetvetiu………………………(261)

Lulet lulëzuan… me të parë djellë…………… (263)

I mburrej vesa lotit me një të shkrepur (266)

Dhe bën sulm për t’u përfytur………………. (285)

Për t’u therrur, për t’u mbytur.…………….. (285)

Shokët për t’i përqafuar……………………… (285)

Nuk di lot, nuk di të qarë……………………. (286)

Për t’i tundur, për t’i shkundur……………. (325)

Mundësi për t’u fjalosur……………………… (325)

Tru e mënd për të menduar…………………. (325)

Përmbi fron për mbajtur……………. (328)

Populli ka për t’u ngritur.…………………… (328)

Posi bar për t’i kositur.………………………. (328)

Plot duf për të luftuar………………………… (354)

Kosovës për t’iu falë………………………….. (354)

Që vjen për t’u dëshmuar………………….. (354)

Gati për të sulmuar…………………………….. (360)

Kush thotë se shqipja i ka zhdukur asnjanësit gabon gjithditën, sepse ata rrojnë te shumë shkrimtarë tanë dhe në shumë të folme popullore. Për mendimin tonë ky është një nxitim i nxituar, i patëholluar mirë.

 

Ç) Disa emërzime kompozitash mbiemërore, si:

“ E shastisur po nga flaka pendëshkruarëza flutur”(V.1.32)

“Se ç’m’i shkel balukprera këto kopshte ku fryn era” (V.1.51)

Un’ hijemvrëjturi në zi, Ti flokëndritura flori (V.1.227)

“ Ah! lesh-verdhëza –si- ftua,

Gji-mburuara- si- krua,

Shtat-lëkundura- pallua,

Më ka përvëluar mua.” (V.1, f. 187)

‘ Të kërkova me qiri,

Mes-këputura – gargi” (V.1.f. 216)

“ Del me vrap, as del përjashta

Ti moj sykaprolleja! “ (VL. F. 122)

 

d) Disa emra me prejardhje parashteso-prapashtesore, si:

 

Nga ky tip prejardhjeje kemi veçuar emrat : përbrendësi, përjashtësi, përzjarrje, paemërsi dhe çpemëzim. Ja pakëz shembuj:

“ Bashkohesh brenda me përjashtësi,

Bashkohesh jashta me përbrëndësi” (215)

“ … duke mbetur së jashtmi në paemërsi

(anonimat) (436).

“ Mbulon mërisht përzjarrjen në të parë”

( 256).

“ një lëmë të përshtatur çpemëzimi politik kundër-shqiptar”(440).

Shihni sa bukur e ka sajuar ky Poradeci ynë fjalën e shqipes – paemërsi- (për-anonim,anonimat)! Autorëve të Fjalorit të Shqipes nuk u ka shkuar ndërmend ta futin në gjirin e tij këtë fjalë të burimit të shqipes, të cilën autori, si shumë simotra të tjera, i pati krijuar me mjaft munxë.Edhe nga ndajfoljet jashtë dhe brenda i ka sajuar fort bukur femërorët – përjashtësi (ana e jashtme, nga ana e jashtme) dhe përbrëndësi ( ana e brendshme, nga ana e brendshme). Asnjërën nga këto fjalë s’i ka Fjalori i Shqipes.Ato moti (vjet, tashi, në mot e përhera) presin të hyjnë atje, në Fjalorin e Shqipes.

 

Dh) Disa emra me prejardhje prapashtesore

 

Nga ky nëntip prejardhjeje i kemi veçuar këta emra:

meshim, ndalestar, pendëtar, mjaftësi etj. Ja disa shembuj nga Poradeci :

“ Atje, në kërkesën e bërë për qeverinë qëllimi kishte qënë thjeshtësisht lypja dhe dhënia e së drejtës së meshimit shqip”. (f.444)

“ … i cili po përgatitej të ndahej nga vargonjtë e shumtë ndalestarë (pengues) drejt mëvetësisë së tij kombëtare dhe shtetërore”(445).

“ Gjuha greke dhe gjuha turke , tehu i dyanshëm i shpatës kanosëse mbi kombësinë e shqiptarit, u muar vlerësisht në shërbim nga pendëatrët e Rilindjes për qëllimin fundor”.(390).

“ … mbi mënyrën e punës dhe mjaftësinë e propagandës…”(392).

Emrin meshë e ka Fjalori i Shqipes, mirëpo mashkullori – meshim- i mungon, prandaj e konsiderojmë me mjaft peshë, sepse është sinonim i tij, është shtatim i leksikut të shqipes. Edhe emri –mjaftësi-,dalë nga ndajfolja mjaft është një krijim i autorit që do të duhej të futet në gjirin e Fjalorit të shqipes.Edhe fjala (emri) – ndalestar- na duket me interes, sepse autori, kështu mendojmë ne, e ka përdorur si sinonim të fjalës – pengues. Kjo fjalë nga ana morfemore do zbërthyer kështu : NDAL-ES-TAR.

Për fjalën lukuni e ka përdorur sinonimin-zhgan-,si:

“Në greminat e Kalasë

Zu po vjen një zhgan gjermanë” ( 294)

Nga sistemi mbiemëror kemi veçuar:

a)Fjalën – e greminuar, si:

E greminuar si rrufe

Kjo jeta ime” (248).

Fjalori e ka emrin greminë, mirëpo mbiemri i mungon. Besa, Poradeci e ka përdorur edhe foljen – greminoj.Autori ynë sajon qëllimshëm sinonime leksikore edhe në fushën e mbiemrave. Po përmendim këtu fjalën – lindjak-, formuar me prapashtesën –ak, si: “ Këtë thënie përkëdheljeje të vendit të tij lindjak e dëgjoi aty pranë Nikolla Naçua dhe qeshi nën buzë”. (422). Leksemën mbiemërore – i, e zjarrtë Poradeci e përdor me formën – i, e zjarrshëm-shme, si: “ të heshtur dhe të zjarrshme shqiptare” (485).Fjalori e ka emrin gjurmë e edhe foljen – gjurmoj, mirëpo i mungon fjala mbiemërore i,e gjurmshëm-shme, të cilën vetëm Poradeci e ka zdritur, është autor i saj, si: “ Shkaku i mosveprimit të saj – të gjurmshëm – varet prej gjindjes së udhëheqësve , të cilët s’i jepnin drejtim shpirtëror dhe punë lëndore për të kryer” (430). Poradeci shkon dhe formon leksema mbiemërore përbind (çuditërisht) të mrekullueshme, si:” Ky atdhetar i paemërshëm ( i panjohur në masë) është Gjergj Naçua i Piteshit” (424). Fjalorit, si zakonisht, i mungon.

 

b) Disa leksema mbiemërore të nyjshme (mbiemra të nyjshëm +

prapashtesa dhe parashtesa të ndryshme) , si:

i atdheshëm, e perëndishme, e shkretëtirtë, i përbujshëm, i këqyrshmë, e sulur, e vdarë, e skëterruar, i natuar, i përikur, i parasjellë, i çdohershëm, i bashkëkohshëm, i përndershëm, e përmbivarrshme, i llaftarisur, i shkrepëtimtë,i dimëruar etj. Ja disa shembuj:

“… me frymëzimin e fjalës së perëndishme dhe të atdheshme të qëllimit të tij prej misionari.

“ Vdiq nepërka pikëlore ndaj blatisht e shkretëtirtë” ( 86).

“Që prej zallit të përbujshëm

Nisen lundrat levorashe” (92).

“O ju qiej shkretëtirash tej-për-tej aq të këqyrshmë” (93).

“ E sakaq dëshir’ e sulur

gushë e faqe t’i përflaku-

Unë mbeta krye-ulur,

Varfanjaku” (166).

“Gjuh’ e ëmbël e stërgjyshve do të dukej gjuh’ e vdarë”(73)

“ Do të dukej i skëterruar më një mjegull zemërate”(73).

“ Nga varr i natuar

Del flakë e harbuar” (253).

“ Si mërgimtar i përikur që ishte” (424).

“ Eshtë adhurimi i Kombit, i parasjellë në altarin e faltores së Dërgimtarëve të tij nga më të parët” (367).

“ Vërtet, asnjë nga shoqëritë e çdohershme, duke mbaruar gjasërisht, nuk heshti fare me atë lloj mbarimi ose zëvëndësimi”. (415).

“… kurse anasjelltas historiografimi i saj i dokumentuar do kthjelltësojë në burimin e vetë të bashkëkohshëm” (375)

“ Vasil Zografi ia tërheq mendimin atit të përndershëm rreth Atdheut…” (359).

“ Që nga tumbë e përmbivarrshme ku do shihje për-matanë” (73).

“Kur të pashë si perri

Mbeta i llaftarisur”(261).

“ Me vështrim të shkrepëtimtë

Alurin mbi shkëmb çakalli” (89).

“ Ndaj po zbardhet dal-nga-dale

Kjo krahinë e dimëruar” (88).

Asnjërën nga këto leksema mbiemërore nuk i ka Fjalori i 2006-ës. Për mendimin tonë leksikografët tanë po flenë, po klluqen së fjeturi. Gjithë kjo shtresë leksikore (fjalësore) me mbetë jashtë faqeve të Fjalorit tonë është më tepër se turp, sepse Poradeci na paska pasë lënë fjalë e fjalë të shqipes, të cilat i janë më se të mbëshme jo vetëm fushës së leksikografisë e të leksikologjisë së shqipes, por edhe shumë lëmenjve të tjerë, fushave të tjera.

 

  1. Disa leksema mbiemërore sajuar me prapashtesa, si:

voglore, vetore, vullkanor, nënore, rastore, shokërishte, vetëtimtare, rrotullore, brymarake, dhemshurishte, vraparake, mjerush, verbimtar, buçimtar etj. Ja shembujt nga Poradeci:

“ …për nevoja voglore të radhës së dytë”(426).

“ Ndërsa fitimet vetore Nikolla Naçua në kohën e vdekjes i kishte prishur që të gjitha, sepse i derdhte menjëherë në dobi të çështjes kombëtare…” (425).

“ Atë butësi natyre Gjergj Naçua ia kushtoi të vëllait vullkanor Nikolla Naços” (425).

“ … në gjuhën e ëmbël nënore…” (373)

“ …kam shënuar se shtytja rastore për të bërë atë himn pat ardhur prej korit të kishës shqipe të Bukureshtit”(373).

“ Bënte botën zilitare

Zemr’e bukur shokërishte” (230).

“ O zjarr që më përflakesh si yll vetëtimtar”(60).

“ Me dritat varg e varg

Vetëtimtare” (325)

“ Ajo endej nëpër qiej,

Nëpër sferat rrotullore” (299).

“ Prej së lartrash brymarake

Ze- i përhap dëbora fijet” (88).

“ Syt’ e tu – shkëlqim gazmuar i skëterrës dhemshurishte”(130).

“ E flakën vraparake nër kraha do ta marr”(60).

“Fjalim’ i mallit tim mjerush” (54).

“ Si pah verbimtar i dëborës

Së-rish po më ndrin një pluhur” (175).

Shënim: Asnjëra nga fjalët e lartpërmendura nuk gjenden te Fjalori i Gjuhës Shipe (Tiranë, 2006). Kësaj do t’i thoshim katastrofë e mbikatastrofshme. Ky fjalës i Poradecit është një thesar që pakkush ia di vlerën. Sa mjerakë janë ata leksikografë , që janë pyetur për këtë çështje. Herdokur leksikografia shqiptare do t’ i mallkojë. Kësaj i thuhet – po e shqelmoni bukën tuaj. Druaj se një ditë do të verbohen. More, u vërbofshin dhe mos e lënçin pa u verbuar!Ka lënë fjalë të shqipes Poradeci, mirëpo pasardhësit e tij i kanë anatemuar ato. Sa turp!

 

Ç) Disa kompozita leksikore mbiemërore:

 

Ky sistem është mjaft i pasur me kompozita leksikore, si: bukuriplote, gjëmëplot, zemërvalë, krahfluturushe, syvetullushe, syperënduar, syqengjërushe, llërëkulluar, gjibardhoshe, kujtimmirë, qepallëlenduar, truvenitur,shpirtluaneshë, dëshirëplot, famëmirë, fat-miroshe. Këto kompozime nuk gjenden te Fjalori i Gjuhës shqipe (Tiranë, 2006).

Ja disa shembuj nga Poradeci:

“ Që lind e ndritur krejt

Bukuriplote” ( 258).

“ Buçimi gjëmëplot

I zemrës sime”(347).

“ Vështruar sy ndër sy,

zemërë-valë” (333).

“ Në krah më fluturon

Krahfluturushe” (339).

“ Me sy me vetullon

Sy-vetullushe” (339).

“ Pushtuar gji- për- gji,

Sy-perënduar” (333).

“ M’hedh sytë kur-e-kur,

Sy-qengjërushe” (341).

“ E hepura si bar

Llërë-kulluar” (340).

“ Gush e llërë e gji-bardhoshe” (199).

“ Nga ças- i ditës kujtimmirë” ( 136).

“ E nj’aty një tru-venitur që mban dije për një fije”(77).

“… Kjo, që e kish emrin Taso dhe ish një shpirtluaneshë” (419).

“ … për fshatrat famëmira ku janë hapur ose atje ku mësohej gjuha shqip”(400).

“Sesa i pashëmbëllyer, sesa dëshirëplot

Zu të ma njomë syrin një varg prej pikash lot!..”(15o)

“ Ha! Fjala fat-miroshe…”(150).

 

Nga sistemi numëror kemi veçuar:

Numërorin e gjinisë femërore tri me prapashtesën e zvogëlimit – , si:

“ Me ç’fuqi t’i shkruash, kur lodhesh vetëm pasi pate sgërmitur dy a trizë fjalë?”

Poradeci e ka përdorur dendur prapashtesën e zvogëlimit –, pra, edhe te përemri – tri.Se a e ka bërë këtë për shkak tingëllimash … vetëm një Zot mund ta dijë!

 

Nga sistemi foljor leksikor kemi veçuar:

  1. Disa fjalë me parashtesat- për, ç, ndër, si:

përvajtoj, përshembet, përshkrep, përpikësoj, përlavduroj,çmaskoj, çrobëroj, ndërmëndoj.

Ja disa shembuj kontekstesh nga Poradeci:

“ Dy shpirtnat përmi ne

përvajtojnë”(339).

“ E ja! Përshembet vrap i lik

E bje përmbys përgjithënjë” (232).

“ Në zemrën time ca kujtime

gjith ma përshkrepin dashurinë” ( 265).

“ Këto cilësime rreth misionit të Naços me “Dritën” e tij, dhe të “Diturisë”, duhen theksuar mes fakteve gjer të përpikësohet më së miri fytyra e Kolonisë, për elementet historike të saj” (416).

“ … shembull i cili përlavduron me të drejtë njëkohësisht autorin dhe qytetin tradicional të Jugut” (367)

“ …kurse ai çmaskonte vetvetiu me atë përgjigjen e tij

vrasëse” (244).

“… kur këtheheshin përsëri në atdheun e robëruar për t’a çrobëruar me pushkë në dorë…” ( 84).

Fjala përpikësohet, të cilën Fjalori s’e ka fare, na thotë mendja, është sinonime e foljes- përcaktohet, të cilën vetëm mendja lasgushore ka ditur ta krijojë, ndërsa fjalët e tjera kanë marrë ngjyrime të vockla kuptimore nga parashtesa – për -. Edhe fjala -ndërmëndoj- ( për- sjell ndër mend) është me mjaft peshë, sepse me këtë kuptim s’e ka Fjalori.Në disa të folme popullore me shumëfjalëshin– ta qes nermên.

 

  1. -. Formimin e një fjale me siparashtesën – para:
  • parablej

Ja brenda kontekstit poradecian:

“… biletat s’gjindeshin dot- ato parabliheshin me një etje të madhe…” (90). Kjo leksemë do futur ngutazi në mjetet i informacionit, sepse për të mund të gjenden shtigje përdorimi sa të duam.

  1. Formimin e disa fjalëve me prapashtesat -0, (ë)so, (ë)-zo),si: pedantëson, melodioj, sendësoj,shpirtëzoj, qjellëson, djellëson, botëson, kombëson, shqipëzon, çinçërron, llaftaroj, zjarrmoj, himnon, hepohet, fatësoj, greminon etj. Ja disa shembuj të këtyre fjalëve kontekstesh të ndryshme nga Poradeci:

“ Ata më emëruan profesor, më pedantësuan obskurantërisht, po unë nuk u betova…” (483).

“ … dyke sendësuar shpesh herë vepra më të kuximshme dhe më të rëndësishme” (205).

“ Transfigurimi i Kutelit është toni unitar i përmallshëm në të cilin përshkohet fabula, gama minore që e shpirtëzon së gjithash fund e krejt me drithmën e saj,…”( 34).

“ Në det, që mendjen ty ta llaftaron,

Në qjell, që mendjen ty ta qjellëson,

Në djellë, mendjen që ta djellëson,

Në botë, mendjen që ta botëson” (217).

“ Pate shkruar e punuar

Kombin për ta kombësuar,

Shqipen për ta shqipëzuar” (106).

“ Në lisa larg, po çinçërron gjinkalla”(85).

“ Ay u zjarrmua me ardhjen e Luigj Gurakuqit dhe me mbledhjen madhështore të Shoqërisë,…” (218).

Himnuan si n’altar,

Me himn të dlirë” ( 333).

“ Njeriu i anijes përjetë

Hepohet…anohet…. valon” (222).

“ Përveç kësaj, një masë e pamenduar mirë e Komitetit, gjatë mbledhjes, ish fatësuar ta shtojë që në fillim mosmarrëveshjen…” (393).

“ E greminohet si rrufe,

Kjo jeta ime” (276).

 

ç) Foljen fundem pa ndajshtesa:

 

“ Drejt në zemër ndaj fundet

Mall’ i përvëluar” (153).

d)Kompozitën – keqflas:

“ …u keqfol si agjent i Vllehëve –Maqedonas, sivëllezërve t’anë…”(244). Kjo leksemë foljore ka mundësi të përdoret në çdo mjet informacioni.

Nga sistemi ndajfoljor i kemi veçuar disa fjalë që dalin me prapashtesën – (i) sht, si:

brëndërisht,çkëlqimërisht, çquarësisht, çpërblimërisht, dëshpërimisht, eminentërisht, estetikërisht, favorisht, filozofisht, finokërisht,fundërisht, guximtarisht, gjasërisht, gjeratërisht, gjithërisht,hundërisht, imediatërisht, instinktërisht, jashtërendërisht, keqdashërisht, komikërisht, konfortërisht, krishtërisht, lavdërisht, lëndërisht, llaftarisht, majestetërisht, mjaftësisht, mistikërisht,nevojërisht, njëmënyrësisht, njëmendësisht, okcidentërisht, palcërisht, pasonjësisht, plotërisht,paligjërisht, pavarrursisht, pamunguarisht, papërgjigjësisht, përbotërisht, përfundërisht, prerërisht, prindërisht, qjellorisht, rëndërisht, rëndësisht, rrjedhësisht, stikërisht, studentërisht, shkëlqimërisht,shpirtërisht, shprehjesisht, shtëpijakërisht, vendërisht, vendimtarisht, vetërisht, vetëdashurisht, vetëkuptimërisht, virgjërisht, vlerësisht.

Duke e parë gjithë këtë vistër leksemash ndajfoljore formuar me prapashtesën – (i)-sht, na thotë mendja, pa kurrfarë të ndërdyzuri, se asnjë shkrimtar yni s’ka krijuar kaq shumë këso ndsajfoljesh të mënyrës.

 

b) Disa ndajfolje dhe shprehje ndajfolore të kohës, si:

 

përvjet ( dhe jo çdo vit), paras, tashi-tashti, dikurherë, djethnaj (nga-dje), ditë për ditë (dhe jo –për çdo ditë), natë për natë ( dhe jo- për çdo natë), tashti për tashti ( dhe jo- tani për tani), mot për mot ( dhe jo- për çdo mot),etj. Ja disa shembuj nga Poradeci:

“Në pritë e në mejdan përvjet

Nga një pasha t’i vrasë” (291).

“… siç u shfaq paras në Bukuresht…” (386).

“ E si rron në gji të dherit dit-për-dit a nat-për-natë”(48).

“ Më çfaqesh n’ëngjëllim

Si dikurherë” (309).

Djethnaj të dërgova një Nr.të “Shqipërisë së re”(481).

“ … që jipet mot për mot si çmim për letërsinë rumune”(91).

“ Veprimin e tyre ata e kishin përfunduar tashti për tashti, duke shtypur abetare…”(386).

“ Vdes përkohë e lind përjetë” (236).

 

 

c) Disa leksema ndajfoljore ( mënyre e vendi), dalë me prapashtesën – zë: kështuzë, ashtuzë, këtuzë. Ja disa shembuj nga Poradeci:

“ Ha! Tek bëj kështuzë,

Hop! Të shoh këtuzë!

Ha! Tek bën ashtuzë,

Hop! Buzë-për-buzë.” ( 230).

Na duhet të përmendim se këso leksemash ndajfoljore kemi ndeshur edhe në fshatin Burojë të Drenicës.Sipas mendimit tonë Poradeci e ka përdorur prapashtesën – zë- edhe te sistemi ndajfoljor për shkaqe e vlera të ndryshme stilistike.

Me prapashtesën – zaj-za- si variante të prapashtesës –-dalin këto leksema ndajfoljore:

Ëmbëlzaj, një vitzaj, njëditëzaj, tinzaj, këtejza etj. Ja disa shembuj nga Poradeci:

“ Përmbi shkëmbenj ndaj pata parë

Të gdhëndur ëmbëlzaj një emër” (269).

“ … d.m.th. shtypur po aty një vitëzaj gjithë ëmbëlsirën dhe

gjithë hidhërimin e dashurisë rastore të fatosit Till” (12).

“ T’a flasin mallin tinëzaj më-nj’-anë…” (223).

“ Kur të shkosh këtejza pranë

Që të çmallërosh” (246).

Ç) Disa leksema ndajfoljore të vendit,si:

përposh, nj’atje, përdrejt, afërtas. Ja shembujt nga Poradeci:

“ Kur hapet perëndimi pas maleve përposh…” (81).

“ Në hije të kasolles që nxin nj’atje mbi mal,…” (63).

“ Thonë, vjen përdrejt në Vlorë”( 145).

“ …aq afërtas prekur pas aq mundimesh” (447).

Është me interes të përmendim se leksema ndajfoljore – përposh- është përdorur që te Buzuku e edhe sot e kësaj dite ka përdorim të gjerë në të folmen e Krajës. Leksema ndajfoljore –atje- , përdorur te Poradeci me formën – nj’atje, pra, me parashtesën –nj- ka përdorim të dendur me të njëjtën formë edhe në të viset shqiptare të Malit të Zi.

Në të përmbyllur të këtij vështrimthi pa u hamendur mund të shtojmë se ajkën kryesore të fjalësit të veprave të Poradecit e kemi vjelë me bukur përkushtim, mirëpo thellësitë e tjera kuptimore do t’u mbesin barrë brezave të ardhshëm, sepse ata, pa të ndërdyzur, do t’i zdritin më përkushtueshëm dhe më mirë. Ashtu qoftë dhe ashtu mbettë!Një gjë e dimë- Poradeci mund të kundrohet nga shumë kënde, sepse vepra e tij është pjellë e shumëkëndshme, siç janë veprat e bashkëkohanikëve të tij – të Kutelit, të Asdrenit, të Anton Harapit, të Koliqit, të Konicës, të Fishtës e shumë të tjerëve.

Veprat e këtij poeti të madh, e këtij leksikografi edhe më të madh dhe e këtij burri dhe atdhetari shumë më të madh e kanë shtatuar dhe e shtatojnë leksikun e shqipes me fjalë të saj “ si vjet, e sot, e mot e përhera” .

 

 

 

Literatura:

 

  1. Fjalor i Gjuhës Shqipe,Tiranë, 2006
  2. Lasgush Poradeci-Vepra letrare- BT, Tiranë
  3. Lasgush Poradeci -Vepra- 1,Onufri, Tiranë, 1999
  4. Lasgush Poradeci – Vepra-2, Onufri, Tiranë,1999

 

Ky punim u botua në prill të 2012 te revista – Studime – nga Akademia e Shkencave dhe e

Aeteve e Kosovës.

 

Prizren, prill 2012

Prof.dr. Abdullah Zymberi

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>